Një vajzë e re Shqiptare – Kanadeze që ja vlen ta vlerësosh.

Para pak ditësh Darena Muça është shpallur kampione sportive për Kanadanë në kategorinë e bukurisë trupore (bikini fitness), dhe vlerësohet akademikisht me titullin Ambasadore e Universitetit të Concordias për programin Co Op.

Për të mësuar më tepër sekretin e suksesit mbi këto ndërthurje të veçanta arritjesh si në sport dhe në fushën ku ajo studion, ne biseduam me të për të mësuar diçka më tepër mbi origjinën, arritjet dhe planet për të ardhmen.

Foto: Skuadra Ludachris

Darena ka lindur në Tiranë dhe ka emigruar në Kanada në moshën 6 vjeçare prej 16 vitesh jeton në Montreal me dy prindërit dhe vëllain e saj më të vogël. Ajo na tregon se që në shkollën fillore ishte lidhur shumë me sportet e notit dhe kërcimit ndërsa më vonë ka vijuar paralelisht jetën e larmishme në aktivitete akademike. Ajo ka fituar gjithashtu tituj nderi dhe është bërë këshilluese në disa programe universitare.

Foto: Darena Muça, Honours Shkenca Politike – Co Op, Universiteti i Concordia-s

Sot Darena është 22 vjeçe dhe shumë e apasionuar pas sportit te bukurise trupore, bodybuilding, ajo ka ditur të shkrij në një, elegancen femërore me bukurinë e muskujve. Darena na tregon me modesti se e ndoqi këtë sport me qëllimin e kombinimit të një trupi perfekt me një mëndje të shendetshme, te cilin e ka realizuar me një dietë dhe stërvitje jashtëzakonisht të vështirë që kërkon shumë disipline, dedikim dhe durim.

Udhetimi i saj na tregon se kjo arritje ka ardhur gradualisht me punë e vullnet. Një pjesë e mirë e komunitetit shqiptar e njeh si Miss për shkak të një kompeticioni te disa viteve më parë. Më tej ajo mori pjesë në garën e bikini fitness në vitin 2017, ku iu deshën 5 muaj përgatitje për shfaqjen natyrale në rang province “Andre Maille” në Gatineau, ku ajo zuri vendin e katërt. Kjo renditje e motivoi të stërvitej më shumë në muajt në vijim për kampionatin në rang province. Darena na tregon se vazhdoi të stërvitej me trainer personal ndërkohë që filloi paralelisht të punojë për Qeverine Federale nën një program special të Universitetit. Gjatë gjithë kohës ajo shprehet se kishte mbështetjen totale të familjes së saj që arritën të mësoheshin me regjimin dhe stilin e saj të ri të jetës. Duke i dhënë të njëjtën rëndësi si sportit dhe studimeve ajo u shpall një ndër 10 studentet më të mirë te programit’’ Spark’’ ajo fitoi një bursë për vitin e ri shkollor.

Foto: Darena Muça gjatë konkurimit (Niveli Provinca e Kebekut)

Në 28 prill 2018, ajo garoi në LaPrairie, në kampionatin natyral të Kebekut në Bikini Klasa B për të Rinjtë (për moshat 17 deri 23 vjeç) dhe Bikini për të gjitha moshat ku fitoi 3 vende të para dhe një vend te 2 të.

Tre javë më pas në 18 Maj, Darena përfaqësoi Provincën e Kebekut në nivel Kombëtar dhe fitoi vendin e parë në Bikini Klasa G, duke u përzgjedhur kështu Kampione Kombëtare dhe duke u kualifikuar për të përfaqësuar Skuadrën e Kanadasë në Kampionatin Botëror në Poloni 2018.

Foto: Darena Muça, trajnerët së bashku me kampionet e kategorive të tjera (Niveli Kanada)

Për Darenën, konkurimi në Bikini Fitness është një sfidë mendore dhe fizike që e forcoi totalisht. Ajo beson se pasioni, studimet dhe puna mund të kombinohen më së miri dhe kjo e argumentuar me arritjet e saja në sport dhe të fitimit të bursës shkollore. E rëndësishme për të është krijimi i balances midis mendjes dhe trupit e shprehur ne moton  e saj: “Disiplina është të zgjedhesh  midis ç’farë dëshiron tani dhe ç’farë dëshiron më shumë”.

Ajo shprehet krenare se kudo që prezantohet në konkurimet sportive apo në ambjentet universitare se është Shqiptare-Kanadeze. Planet e saja për të ardhmen janë, së shpejti ajo po pregatitet të konkurojë në Kampionatin Botëror të Polonisë 2018 në fushën e sportit dhe të kurorëzojë më tej studimet me një Master dhe Doktoraturë në fushën e saj akademike.

Ermir Dardha

Montreal, Kanada

E drejta e publikimeve rezervohet vetëm me lejen e autorit.

Copyright © 2018

Advertisements