Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe Llogaria e Kursimit pa Taksa

Ekonomia duket si një fushë studimore e vështirë komplekse për tu kuptuar, apo shumë e vështirë për tu ndjekur në pafundësinë e informacionit që rrjedh sot në mediat e specializuara mbi ekonominë apo shpejtësisë së ndryshimit të tregjeve financiare sidomos për një njeri që nuk është mësuar as me terminologjinë.

Ndjekja e treguesve të ndryshëm makro-ekonomik apo ndjekja e shëndetit ekonomik të një vendi kryhet nga specialistë dhe përfaqësohet nga disa tregues ekonomik kryesorë. Më poshtë janë tre treguesit e përdorur zakonisht nga ekonomistët për të pasur një përgjigje nëse ekonomia është në rritje apo në ulje. E para është produkti i brendshëm bruto (PBB), e dyta është norma e inflacionit dhe e treta norma e papunësisë.

Për të mbrojtur financat personale në nivel individual, mikro-ekonomik ç’do njeri rezident i përhershëm apo qytetar kanadez duke plotësuar disa kushte paraprake ka të drejtën e çeljes e para së një llogarie të rregjistruar si llogaria e kursimit pa taksa (LLKPT), apo e dyta ai mund të ndërtojë një plan të regjistruar të kursimeve të pensionit (PRKP) ky është një lloj i planit të kursimeve të regjistruara të krijuara sipas Aktit të Tatimit mbi të Ardhurat dhe i regjistruar në Agjencinë e të Ardhurave të Kanadasë.

Në këtë artikull do të përqëndrohemi të trajtojmë pikën e parë të indikatorit makro-ekonomik produktin e brendshëm bruto (PBB). Gjithashtu do shpjegojmë dhe strategjinë fiskale që një individ duhet të kryej për të ruajtur sadopak kapitalin e tij të kursyer nga luhatjet e ekonomisë brenda një llogarie të rregjistruar, ajo që sot do të trajtojmë quhet llogaria e kursimit pa taksa (LLKPT).

Produkti i Brendshëm Bruto (PBB)

Quhet sasia e mallrave dhe shërbimeve që prodhon një vend është një nga treguesit kryesorë të shëndetit të ekonomisë. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) është një masë e vlerës totale të tregut të të gjitha mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara nga ekonomia në një vit, ky indeks PBB matet në dollarë kanadez. Vlera e PBB-së quhet zakonisht “nominale” ose “reale”. PBB-ja nominale shprehet në terma të çmimeve aktuale të tregut, ndërkohë që PBB-ja reale është rregulluar ndaj ndikimit të inflacionit për të injoruar ndikimin e rritjes së çmimeve.

Një rritje në PBB-në reale është interpretuar si një tregues që ekonomia po ecën mirë, ndërkohë që një rënie në PBB tregon që ekonomia nuk po funksionon me kapacitet të plotë. Një rritje në PBB është në përgjithësi një rritje në të ardhurat e korporatave dhe një rritje në dividentët ose çmimet e aksioneve dhe investimet në lidhje me fondet e përbashkëta të fondeve për investitorët. Anasjelltas, një rënie në PBB në përgjithësi korrespondon me fitime më të ulëta për kompanitë dhe kthime më të ulëta për investitorët.

Llogaria e Kursimit pa Taksa (LLKPT)

Llogaria e kursimit pa taksa (LLKPT) ofron një mënyrë për të fituar të ardhura nga investimet pa taksa. Ndërkohë që llogaritë e tjera të regjistruara mund të shtyjnë tatimin mbi të ardhurat e fituara sipas planit, LLKPT është i ndryshëm pasi që të ardhurat nga investimet e planit janë pa taksa kur tërhiqen.

Për të hapur një LLKPT, duhet të keni arritur moshën madhore, 18 ose 19 në varësi të provincës ose territorit në të cilin jetoni. Llojet e investimeve që mund të mbahen në një LLKPT përfshijnë: likuiditetet, fondet e përbashkëta, letrat me vlerë të listuara në një bursë të caktuar, çertifikata të garantuara të investimeve (ÇGI), obligacionet, ose ne disa aksione të kompanive të vogla.

Gjithmonë këshillohuni me specialistët fiskal, apo financiar për të pasur të dhëna e informacion të saktë ne hapat që do të ndërmerni sepse ç’do rast është i ndryshëm për të qene brenda rregullave. Por ç’farë duhet pasur parasysh, për këtë duhet te telefononi institucionin përkatës për të ditur nivelin maksimal, apo tavanin tuaj LLKPT. Për shembull një njeri që ka qene rezident i përhershëm apo qytetar kanadez prej vitit 2009, deri në 2018 ka në total të drejtë të depozitojë një shumë deri në 57’500 dollar kanadez, shumë kjo që mund të jetë e shpërndarë në disa institucione financiare apo në disa banka të ndryshme të nivelit të dytë në Kanada. Kujdes nëse ky tavan tejkalohet për shembull gjatë një muaji atëherë ka një penalitet fiskal prej 1% të balances më të lartë në këtë llogari në atë muaj, kjo vazhdon gjatë periudhës që ky tavan është tejkaluar. (Ç’do vit institucionet përkatëse rrisin tavanin sipas rritjes ekonomike apo inflacionit, që prej vitit 2009 që ka filluar LLKPT ka pasur vite nga 5’000 dollar kanadez, ka pasur vite 5’500 si dhe 10’000 dollar kanadez.)

TERMINOLOGJI

Shqip: LLKPT – Llogaria e Kursimit pa Taksa

Anglisht: FTSA – Free Tax Savings Account

Frengjisht: CELI – Compte d’Epargne Libre d’Impot

Shqip: PBB – Produkti i Brendshëm Bruto

Anglisht: GDP – Gross Domestic Product

Frengjisht: PIB – Produit Intérieur Brut

Shqip: PRKP – Plani i Rregjistruar i Kursimeve per Pension

Anglisht: RRSP- Registered Retirement Savings Plan

Frengjisht: REER- Régime Enregistré D’épargne-Retraite

Shqip: ÇGI – Çertifikata të Garantuara të Investimeve

Anglisht: GICs – Guaranteed Investment Certificates

Frengjisht: CPG – Certificat de Placement Guarnatee

Ermir Dardha

Flas Shqip

Kanada

E drejta e publikimeve rezervohet vetëm me lejen e autorit.

Copyright © 2018

Advertisements