info-Montreal: Libri më i vjetër për fëmijë me tregime të moçme shqiptare “Eposi i Kreshnikëve” projekti më i ri në Shkollën Shqipe “Nënë Tereza” në Laval.


Është projekti më i ri për fëmijët e shkollës shqipe “Nënë Tereza” i cili vjen i konkretizuar sot datë 20 Nëntor 2016, nga Z. Genc Trebicka dhe nën përkujdesjen e Kryetarit të Bashkësisë Shqiptare të Kebekut në Montreal Z. Rikad Shpori, në shkollën shqipe “Nënë Tereza” në Laval.

Z. Genc Trebicka duke i prezantuar fëmijëve tregimet nga “Eposi i Kreshnikëve”.

Në këtë të diel, Gjyshi Genci Trebicka përzgjodhi dy tregime të bukura për fëmijët, “Fuqija e Mujit” si dhe “Muji dhe Zanat” nga libri më i vjetër edukues dhe më i bukur me tregime për fëmijë “Eposi i Kreshnikëve” një kopje e vjetër e librit e ruajtur me shumë dashuri që nga fëmijëria e Z. Trebicka.

Z. Genc Trebicka & Z. Rikard Shpori kryetar i BSHKM

Duke ju uruar suksese në këto projekte edukuese për fëmijë, info-Montreal fton të gjithë shqiptarët të mbështesin këto projekte si dhe prindërit të sjellin fëmijët e tyre në Shkollën “Nënë Tereza”. 

Eposi i Kreshnikëve është një vepër e pasur letraro-folkloristike që ka të përmbledhura tregime të moçme shqiptare dhe ka një shqipe shumë të bukur me plotë fjalë të larmishme që ndihmon në pasurimin e fjalorit shqip për fëmijët dhe ngjallë kuriozitetin e tyre dhe zhvillon dëgjimin aktiv në gjuhën shqipe nëpërmjet përrallave.

info-Montreal

Kanada, Nëntor 2016

E drejta e publikimeve rezervohet vetëm me lejen e autorit.

Copyright © 2016

Libri “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999”, Dokumentari nga Prof. Dr. Nusret Pllana me Regji nga Regjisori i njohur Luan Kryeziu, dhe kënga kushtuar Komandant Xhabit Toqanit promovohet nga Shoqata Kulturore Shqiptare Montreal edhe në Montreal, Kanada

Image

Në datën 13 Nëntor 2016, me iniciativen e kryetares Znj. Anila Erindi Kati dhe me mbështetjen e Shoqatës Kulturore Shqiptare Montreal, në sallën e qendrës Komunitare Cotes des Neiges, u prezantua libri i shkrimtarit kosovar Prof. Dr. Nusret Pllana, Libri me titull Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999. 

Gjithashtu u promovua dokumentari me po të njëjtin autor Prof. Dr. Nusret Pllana dhe produksion i regjisorit të mirënjohur Z. Luan Kryeziu, mbi masakrën e Marsit të vitit 1999 në Krushë të Madhe, e cila ishte një ndër masakrat më të mëdha, më të gjakosura, dhe nga më të dhimbshmet në Kosovë.

Foto: Znj. Anila Erindi Kati (Kryetare e SHKSHM) & Prof. Dr. Nusret Pllana

Znj. Anila falenderoi Prof. Dr. Pllanën për punën e tij të palodhur, gjithashtu shprehu kënaqësinë për organizimin e këtij promovimi libri, dokumentari dhe kënge. Më pas përshëndeti dhe falenderoi Ambasadorin e Shqiperisë Z. Ermal Muca me bashkëshorten e tij për pjesëmarjen, përshëndeti dhe falenderoi Ambasadorin e Kosovës Z. Lulzim Hiseni. Një falënderim i veçantë iu perkushtua sponsoreve të Prof. Dr. Pllanës, Familjes Zejnullahu, Familjes Toçani dhe Familjes Zhuri, gjithashtu përshëndeti të ftuarit e ardhur nga Laval-i, Montreal-i dhe nga Granby.

Foto: Nga prezantimi i Librit në Montreal

Me pas Znj. Anila ftoi Z. Flurans Ilia të thotë një përmbledhje të shkurtër mbi Prof. Dr. Nusret Pllanën. Ai foli mbi punën e palodhur ndër vite të profesorit, me përkthimet e librit në 9 gjuhë dhe promovimin nga shumë qëndra evropiane dhe botërore.

Në vijim Znj. Anila ia dha fjalën Prof. Dr. Pllanës, i cili foli me shumë detaje mbi atë ç’ka libri flet, mbi historinë e dhimbshme, mbi gjakun e derdhur, në fshatin Krushë të Madhe të Kosovës.

Kishim kënaqësinë të kemi të pranishëm jo vetëm autorin Prof. Dr. Nusret Pllana, ardhur posaçërisht nga Kosova për këtë aktivitet. Por gjithashtu të ftuarit e veçantë përfaqësuesi diplomatik i Shqiperisë në Kanada Shkëlqesia e tij Z. Ermal Muça, dhe përfaqësuesi diplomatik i Kosovës në Kanada Shkëlqesia e tij Z. Lulzim Hiseni.

Foto: Z. Ermal Muça (Ambasadori i Shqipërisë në Kanada) & Z. Lulzim Hiseni (Ambasadori i Kosovës në Kanada)

Të dy ambasadorët shprehën kënaqësinë e tyre për ftesën dhe organizimin e eventit të prezantimit të librit. Z. Ermal Muça tha: 

– Falenderojmë Shoqatën Kulturore Shqiptare Montreal për punën që bën për organizime të tilla. 

Ndërsa ambasadori i Kosovës Z. Lulzim Hiseni tha:

– E kam njohur prej tashmë disa vitesh Prof. Dr. Pllanën dhe punën e madhe që ka bërë, e vlerësojmë jashtë mase dhe i urojmë suksese të mëtejshme. 

I ftuar tjetër në sallë ishte dhe rapdsodi i njohur Z. Mehdi Isufi, i cili këndoi dy këngë të krijuara nga ai vetë. Na trasmetoi shumë emocione për lidhjet mes Kosovës dhe Shqiperisë. Eventi kaloi në një atmosferë të këndshme dhe frutdhënëse. 

Prof. Dr. Nusret Pllana & Z. Mehdi Isufi

Në fund të eventit Znj. Anila Erindi Kati falenderoi të pranishmit në sallë, falenderoi të dy ambasadorët, falenderoi sponsorët e udhëtimit Familjet Toqani, Zejnullahu dhe Xharra, mbi të gjitha falenderoi Prof. Dr. Nusret Pllana për pranimin e ftesës të prezantojë librin, dokumentarin dhe këngën në qytetin e Montrealit. Ajo u shpreh se është kënaqësi profesor që ju kemi të ftuar nderi në mes nesh. 

Foto nga e majta në të djathtë: Vëllai i dëshmorit Xhabit Toqanit – Z. Bedri Toqani, Z. Lulzim Hiseni (Ambasadori i Kosovës në Kanada), Znj. Anila Erindi Kati (Kryetare e SHKSHM), Prof. Dr. Nusret Pllana, Z. Ermal Muça (Ambasadori i Shqipërisë në Kanada) 

Në fund të ftuarit morën librin e profesorit dhe patën kënaqesinë të marrin foto me Prof. Dr. Nusret Pllana.

info-Montreal

Kanada, Nëntor 2016

E drejta e publikimeve rezervohet vetëm me lejen e autorit.

Copyright © 2016

info-Montreal: Një shqiptar është President i CACI-it.

info-Montreal: Prej sa vitesh ndodheni në Montreal?

Në foto: Z. Lulëzim Laloshi Presidenti i ri i CACI-it.

Jam zhvendosur këtu në vitin 1998, dhe ndodhem prej 18 vitesh në Montreal.

info-Montreal: A është e mundur të bëni një prezantim tuajin publik?

Unë kam kryer studimet e larta në Universitetin e Montrealit, dhe kam përfunduar dy specializime. E para në konsulencë dhe e dyta në fushën e zhvillimit të biznesit. Në vitin 2006 në një konkurs të zhvilluar nga Bashkia e Montrealit kam fituar një bursë për tu specializuar më tej mbi temën “Sipërmarësit e rinj”.

info-Montreal: Për lexuesit shqipfolës që nuk ju njohin a mund të prezantoni kontributin tuaj në Montreal, sepse ju keni pasur disa poste publike mund të na i cilësoni ato?

Jam zgjedhur kryetar i komunitetit shqiptar nga viti 2006 deri në 2008, me pas kam marrë pjesë si anëtar aktiv i Këshillit Administrativ të Kooperimit e Zhvillimit Ekonomik dhe Komunitar për zonën e Saint Leonard-it. Më tej në zgjedhjet e 2008 mora pjesë si kandidat i partisë Konservatore për Outremont-in një zonë e rëndësishme e Montrealit. Si dhe punoj me projekte të ndryshme ndërkombëtare zhvillimi biznesi.

info-Montreal: Në asamblenë e fundit për Këshillin Administrativ të CACI-it ju u zgjodhët anëtar dhe më tej u përzgjodhët President. Duke ju uruar për këtë sfidë të re, a mundet të na shpjegoni rreth rolit të këtij institucioni, dhe projektet e ndryshme të tij?

Foto: CACI në përfundim të asamblesë 2016

Këtu do të ndalem pak më gjatë, “Qëndra në mbështetje për komunitetet e emigrantëve” (apo në frengjisht “Centre d’appui aux communautés immigrantes-CACI”) zhvillon aktivitetin e tij prej më shumë se dy dekadash. Ky institucion është një nga institucionet kryesore që zhvillon projekte të ndryshme në mbështetje të emigrantëve, duke filluar nga këshillat më elementare për integrimin në jetën e re që fillojnë këtu në Kanada, kurse gjuhësh në frengjisht apo anglisht, këshillim apo ndihmë për të gjetur banesën e tyre të parë. Deri tek këshillat profesionale ndihmëse për të gjetur një punë, apo të këshillave për investime dhe zhvillime biznesi në tregun Kanadez. 

Por një projekt të rëndësishëm do të veçoja atë në ndihmë të refugjatëve Sirian të vendosur në dy vitet e fundit në Kanada. CACI ka ndihmuar për këtë kategori duke filluar nga ndihma më bazike në ushqime, veshje e deri tek stabilizimi për një jetë të re në Kanada.

info-Montreal: Pse vendosët të kandidoni në Këshillin Administrativ të CACI-it. Cili është vizioni juaj dhe ç’farë risije do të sillni?

Foto: Nga asambleja e CACI-it e vitit 2015

CACI-in e kam ndjekur rregullisht dhe kam qenë anëtar i saj prej vitit 2011. Duke vlerësuar punën e shkëlqyer të deri-tanishme të ekipit do të dëshiroja edhe unë të jepja kontributin tim duke qenë se jam edhe vet një emigrant. Duke qenë se vij edhe nga një profil biznesi doja të fusja një frymë të re tek CACI në mënyrë që të ofroj edhe shërbime konsulence biznesi, dhe të ndihmoja emigrantët e rinj, sepse ka shumë prej tyre që duan të merren me investime, apo të hapin dhe zhvillojnë bizneset e tyre në Kanada.

Ermir Dardha

Kanada, 2016

E drejta e publikimeve rezervohet vetëm me lejen e autorit.

Copyright © 2016

info-Montreal: Prof. Dr. Nusret Pllana prezanton librin e tij “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët”

Në kuadrin e aktiviteteve të muajit të trashgimisë shqiptare në Montreal, Kanada në datën 13 Nëntor 2016, nga ora 15:00 deri në ora 17:00 në Qendrën Komunitare Cote-Des-Neiges në Montreal do të zhvillohet promovimi i librit si edhe shfaqja e dokumentarit dhe këngës me një temë të rëndësishme historike. 

Autori i librit Prof. Dr. Nusret Pllana, vjen posaçërisht nga Kosova për të prezantuar librin e tij me titull: 

Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999


Ky libër është përkthyer në disa gjuhë: anglisht, frengjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht dhe deri tani është promovuar në këto qëndra europiane dhe botërore: Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Shkup, Oslo, Jovik, Stokholm, Kopenhagen, Katovicë, Budapest, Romë, Helsinki, Vjenë, Lion, Paris, Shtutgart, Dortmund, Singen, Nyrnberg, Hechingen, Pforzheim, Hamm, Gjenevë, Cyrih, Lugano, Ankara, Stamboll, Izmir, Bursa, New York, Washington , Detroid, Melbourne, Toronto, Bearry, Bruksel, Berlin e Braunschweig.

Ky libër gjithashtu është përkthyer edhe në gjuhën japoneze e suedeze dhe është ribotuar disa herë si dhe është në përgatitje të ribotimit të gjashtë të tij.

Të ftuar nderi do të jenë përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Kanada, Ambasadori Z. Ermal Muca, dhe përfaqesuesi diplomatik i Kosovës në Kanada,  Ambasadori Z. Lulzim Hiseni.

Aktiviteti zhvillohet nën përkujdesjen e SHKSHM në adresën: 

6767 chemin de la cote des neiges, Montreal, Quebec H3T 1Y4

info-Montreal: Nëntori, muaji i trashëgimisë Shqiptare në Ontario, Kanada.

Sot në datën 3 Nëntor 2016, Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze në Toronto, organizoi festimet për shpalljen e muajit Nëntor si muajin e Trashëgimisë Shqiptare në Parlamentin e Ontarios. 

Foto: Dr. Ruki Kondaj Presidente Nderi e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze në Toronto

Të ftuar ishin grupi arbëresh i ardhur posaçërisht nga Kalabria, si dhe shumë personalitete si Ambasadori Shqiptar në Ottawa Z. Ermal Muça si dhe pjesëmarrës nga qeveria e përfaqësues të parlamentit të Ontarios. Ishin të pranishëm autotitete si Ministrja Laura Albanese, Minisitri Brad Dugud, Deputetet Yvan Baker, Shafic Qaadri etj. Gjithashtu të ftuara ishin edhe shoqatat si motra në Ontario, Montreal, Hamilton, komunitetet fetare, bizneset, artistët, anëtarë, aktivistë, studentë, pensionistë etj.

Foto: Deputeti Yvan Baker

Ishte një kënaqësi e veçantë që edhe Shoqata Kulturore Shqiptare Montreal të përfaqësohej nga kryetarja Znj. Anila E Kati në këtë ngjarje të shënuar për të gjithë ne shqiptarët.

Fjala e mbajtur prej Ministres Znj. Laura Albanese, me origjinë arbëreshe, preku gjithë shqiptarët në sallë kur u shpreh se: “Jo për çudi Znj. Ruki Kondaj, më zgjodhi mua për projekt-ligjin mbi trashgimin, për faktin që mbiemri im ka një domethënie shqiptare.”

Foto: Ministrja Laura Albanese

Gjithashtu Deputeti Z. Shafic Qaadri jo vetëm mbështeti projekt-ligjin, por i emocionoi të ftuarit me disa shprehje në shqip, dhe të mësuara e të shprehura shumë bukur me tonin e theksin e duhur që ngjasonte si një shqiptar i vërtet, gjithashtu ai u shpreh se: “Jo vetëm Laura Albanese ka lidhje shqiptare por edhe unë kam lidhje me shkrimtarin Kadare për nga ngjashmëria e mbiemrit Qaddri.”

Foto: Deputeti Shafic Qaadri

Në sallë u krijua një atmosferë shumë e ngrohtë, miqësore dhe Ambasori Z. Ermal Muça u shpreh se: “Edhe pse në parlamentin e Kanadasë ne e ndjejmë veten si në shtepinë tonë.” Kjo solli lotë ndër të ftuarit e pranishëm. 

Foto: Znj. Anila E Kati, Z. Ermal Muça, Znj. Laura Albanese

Me inicjativën dhe punën e palodhur e këmbëngulëse të Presidentes së Nderit Dr. Ruki Kondaj, mbështetur gjithashtu nga Z. Ramazan Këllezi që është njëkohësisht President i SHBSHKT si dhe anetarët e tjerë të Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze në Toronto e bën të mundur që 28000 shqiptarët e Ontarios e më gjerë në Kanada të kenë sot një ligj trashëgimie, dhe muaji Nëntor të jetë muaji i trashëgimisë shqiptare. Një arritje kjo e paparë deri më sot.

Foto: Dr. Ruki Kondaj, Z. Ramazan Këllezi, Znj. Anila E Kati.

Programi u moderua nga ylli i kinematografisë Znj. Ana Golja e cila interpretoi Himnin e Kanadasë, ndërsa Maria Ferrari studente arbëreshe interpretoi hymin shqiptar në dialektin e bukur arbëresh. Më tej, nga arbëreshët u shfaq në ekran pjesa teatrale “Kush e solli Doruntinën”, në vijim u krye një sfilatë me kostume popullore shumëngjyrëshe të të gjithë krahinave e trevave shqiptare si edhe u kërcyen valle popullore të drejtuara nga koreografi i mirënjohur Ramazan Këllezi, President i SHBSHKT.


Grupi arbëresh nëpërmjet zërit të zonjës së nderuar Lucia Martino shprehu kënaqësinë dhe në mesazhin e falenderimit u shpreh se shqiptarët dhe arbëreshët janë një edhe pse ca kanë jetuar në jug të italisë të tjerët në Shqipëri, ne kemi të njëjtat tradita, të njëjtat zakone, të njëjtën origjinë arbërore.


Nën tingujt e këngës “Jemi ne” grupi i vallëtarëve kerceu mjaft bukur, të gjithë të ftuarit në sallen e parlamentit vallëzuan të kapur dorë më dorë, shoqëruan vallëtarët, të gjithë në sallë ndiheshin shqiptarë. Deputeti Qaddri u shpreh se në 15 vjet në parliament, kurrë nuk është kërcyer, është hera e parë, dhe për më tepër valle shqiptare me kostumet e larmishme ngjyra ngjyra. 

Mbështetja e bizneseve shqiptare ishte shumë e pranishme, Pastiçeria Europiane me ëmbëlsirën e përgatitur dhe të dekoruar me kostumet arbëreshe të gdhendura në tortë, një vepër arti (që të vjen keq ta hash e do ta ruash njësoj si vlerat e trashëgimisë). Gjithashtu Old Mill me bakllavatë, byreqet, tullumbat që na bën të ndjehemi si në sheshin Skënderbej si në Tiranë. 

Për sa i përket Shoqatës Kulturore Shqiptare Montreal,  falenderojmë mbështetjen e kompanisë One Travel, Z. Bujar Zejnullahu që mundësoi një rrugë për praninë e shoqatës tonë në Toronto, i jemi shumë mirënjohës. 

Atmosfera e gëzuar zgjati deri në orët e vona. Në fund të programit për të ftuarit u ofrua një koktej me ushqime tradicionale shqiptare dhe pije freskuese të ofruara nga organizatorët SHBSHKT.

Puna e palodhur e Dr. Kondaj na frymëzon edhe ne të Shoqates Kulturore Shqiptare të Montrealit të marrim një shembull të paparë, për të realizuar atë ç’ka po realizojnë në Toronto , e vërtetë që SHBSHKT festoi 26 vjetorin sot, por edhe ne s’duhet të presim për ti dhënë fëmijëve tanë vlerat e trashëgimisë shqiptare, duhet ta nisim sepse gurë gurë ngrihet kalaja.

Informacioni komunikuar nga Znj. Anila E Kati, Kryetare e Shoqatës Kulturore Shqiptare Montreal

Ermir Dardha

Opinion.al

Kanada, 3 Nëntor 2016

E drejta e publikimeve rezervohet vetëm me lejen e autorit.

Copyright © 2016