Kryetari i BSHKM z. Rikard Shpori i dhuron kupën e kampionëve 2016 skuadrës fituese të Ferizajt

Të dielën, në datë 5 Qershor 2016 u zhvillua Kupa e Futbollit në Provincën e Kebekut, prej orës 12:00 deri në ora 17:00, për vitin e gjashtë me rradhë. Katër ekipe morën pjesë, duke zhvilluar ndeshje ndërmjet tyre. Bashkësia Shqiptare e Kebekut në Montreal ishte organizatorja e kupës së futbollit. Ndeshjet u luajtën në fushat e qendrës sportive SportXpo, në Laval në Adresën 2890 Bulevardi Dagenais.


Ekipi i Ferizajt 

Katër ekipet që morën pjesë në ndeshjet eliminuese, ekipi Autokton me kapiten z. Fidan Ramadani të ardhur nga Saint Jerome dhe ekipi i Lavalit me kapiten z. Gëzim Drenica, ekipi Ferizajt me kapiten Ilir Mushkalaj, dhe ekipi Kosova nga Montreali me kapiten Naser Veselin që dhuruan ndeshje të bukura. Në gjysmë-finale u takuan Ferizaj kundër Lavalit dhe Kosova kundër ekipit Autokton. Ndeshjet ishin të forta por ekipet Autokton dhe Ferizaj ishin dy ekipet më të mira të cilat u përballën në finale. 

Ekipi Kosova

Në fund kjo ndeshje u mbyll me rezultatin e gjashtë golave për Ferizajn kundrejt tre të kryera nga Autoktonët. Ekipi i Ferizajt të cilët u kurorëzuan si ekipi Kampion për vitin 2016 në Kebek. Ekipi fitues siç është bërë traditë do të përbëjë përfaqësuesen zyrëtare të Provincës së Kebekut në Kupën e shqiptarëve të Kanadasë për vitin e ardhshëm. 


Ekipi i Lavalit

Duke qenë se ky aktivitet sportiv është një ndër aktivitetet më të rëndësishëm ai mblodhi me dhjetra bashkëkombas e sport-dashës si fëmijë e futboll-dashës që mbështesnin ekipet e zemrës. 


Fëmijët

Kjo ishte një e dielë me shi, por që nuk pengoi aktivitetin sepse në fushat e mbyllura futbollistët luajtën shumë bukur dhe dhuruan emocione me gola të bukur në Laval, ku flamujtë e Shqipërisë dhe Kosovës valëviteshin në anë të fushës. 


Ekipi Autokton

Në fund kishte një ceremoni të bukur të dhurimit te Medalieve nga Kryetari i Bashkësisë së Kebekut në Montreal z. Rikard Shpori drejt ekipeve finaliste, si dhe iu dorëzua Kupa e Kampionëve ekipit të Ferizajt, si dhe gjithë futbollistët e pjesëmarrësit i uruan suksese në sfidat e rradhës dhe falenderuan të gjithë ekipet që luajtën në këtë aktivitet sportiv.

Ermir Dardha

6 Qershor 2016

E drejta e publikimeve rezervohet vetëm me lejen e autorit.

Copyright © 2016

Themelohet Shoqata e Gruas Shqiptare në Kanada

Në datën 29 Maj 2016 u themelua Shoqata e Gruas Shqiptare në Kanada e cila pritet si fillim të zhvilloj veprimtarinë e saj gjerësisht në Toronto dhe rrethinat e saj. Për të kuptuar më tepër rreth kësaj ne zhvilluam një intervist me themeluesen e Shoqatës Znj. Remka Huruglica.

Si lindi ideja për krijimin e Shoqatës së Gruas Shqiptare në Kanada?

Gjatë viteve që kam jetuar në Kanada jam njohur me zonja të mrekullueshme e shumë dëshmi të vlerave të tyre i kam ndarë me publikun nëpërmjet emisionit Radio e Diel. E frymëzuar nga arritjet e tyre unë mendova të krijojmë Shoqatën e Grave Shqiptare të Torontos që ti japim mundësi të gjitha grave nga të gjitha trevat të ndajnë mes tyre sukseset si dhe të mbështesin njëra-tjetrën në sfidat e jetës. Ne jemi nëna, bashkëshorte, motra, shoqe, kolege dhe aktiviste në komunitet. Përballemi me një jetë me shumë funksione dhe mundohemi të mos lëmë pas dore asnjë detyrë. Prandaj një shoqatë e tillë do ti ndihmojë gratë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për një qëllim të përbashkët atë të argëtimit.


Cili është misioni dhe forma apo struktura e organizimit të Shoqatës së Gruas Shqiptare në Kanada, disa fjalë rreth statutit të saj?

Misioni i kësaj shoqate është lehtësimi sadopak i gruas nga rutina dhe shqetësimet e përditshme nëpërmjet pjesëmarrjes në aktivitete argëtuese, sportive, kulturore e artistike në zonën e Torontos (GTA), Kanada, Amerikën e Veriut etj. Duke patur një shoqatë aktive tonën ne u trashëgojmë fëmijëve tanë kulturën e bashkëpunimit, trashgiminë e traditave tona të çmuara dhe virtytet e figurës së gruas së emancipuar dhe bashkëkohore shqiptaro-kanadeze.

Përsa i përket strukturës Shoqata është e hapur dhe demokratike pa kurrfarë hierarkie/kryesie etj. Unë jam themeluesja e Shoqatës ndërsa të gjitha anëtaret janë të mirëpritura të japin idetë e tyre për ç’do aktivitet. Ç’do vendim do të merret sipas miratimit të shumicës. Komunikimi do tê kryhet kryesisht me email dhe takime të hapura ku të gjitha janë të ftuara. Statuti i hollësishëm do të përpilohet gjatë aktiviteteve me modifikimet e duhura.

Si mund të anëtarësohesh në Shoqatën e Gruas Shqiptare në Kanada?

Anëtarësimi është i lirë pa kuotë vjetore. Në qoftë se do të dëshironin të jepnin diçka si sponsorizim janë të mirëpritura por jo të detyruara.

Cila planifikohet të jetë adresa si dhe mjetet e kontaktit nëse njerëzit dëshirojnë t’ju kontaktojnë?

Si fillim kontakti do të jetë në rrjetin social në facebook në faqen Albanian Canadian Woman’s Association. Aty janë të gjitha kontaktet email, numër telefoni etj. Shoqata do të ketë faqen e internetit (Website-in) dhe një zyrë për takime të ndryshme.


Ç’farë projektesh apo aktivitetesh ka në plan të zhvillojë Shoqata e Gruas Shqiptare në Kanada?

Një nga aktivitetet më kulminante vjetore të shoqatës do të jetë festa e 8 Marsit ku do të shpallet edhe Gruaja e Vitit ndër shumë nominimeve. Gjithashtu aktivitete si Festa e Halloween etj. Shoqata mirëpret çdo ide të grave për ta pasuruar më tej spektrin e llojeve të veprimtarive.


Si mendoni si do të mund të realizohet e konkretizohet ndihma nga kjo Shoqatë drejt vajzave shqiptare, a keni ura me shoqata të ngjashme Kanadeze?

Siç e përmenda edhe në misionin e Shoqatës ne do të përpiqemi të mbështesim njëra-tjetrën në sfidat në që përballemi në jetë. Ne mendojmë të krijojmë një fond me donacione nga mbrëmjet fundraising që do të organizojmë, nën mbështetjen e sponsorave tanë, banking shitje etj. Krijimi i Shoqatës sonë u mirëprit nga biznesmene si Limoza Demiri të cilën e falenderojmë për sponsorizimin e aktivitetit të parë atë të hapjes. E cila u shpreh për bashkëpunim e mbështetje të vazhdueshme të aktiviteteve tona, një prej të cilave është përkrahja e grave në nevojë. Kemi filluar negociatat edhe me shoqata simotra në Kanada. Por duhet pak kohë sa të përgatitemi që të vendosim lidhje me shoqata të ngjashme. Ne kemi privilegjin të jemi gra shqiptare e kanadeze dhe gëzojmë të drejtat të bashkëpunojmë për të drejtat e grave kudo në botë.

Ermir Dardha

Illyria the albanian-american newspaper

Kanada, 2 Qershor 2016

E drejta e publikimeve rezervohet vetëm me lejen e autorit.

Copyright © 2016